Ndodheni ne: Guidat / Të Tjera
Keshilla perpara se te nisni nje faqen tuaj

Këshilla përpara se të nisni një faqe tuajën

Nga më 30 April 2010 në Të Tjera me 7 Komente

Duke parë që kohët e fundit po lëshohen shumë faqe online, doja ti jepja disa këshilla webmasterave të këtyre faqeve. Janë disa pika të rëndësishme që mendoj se duhet ti kaloni përpara se të publikoni faqen. Lexojini me kujdes dhe shpresoj ti vini në zbatim.

Keni punuar për një kohë të gjatë në një faqe edhe doni ta bëni publike? Përpara se të ndodhë një veprim i tillë ju duhet të kaloni shumë pika thelbësore që ju ndihmojnë në një përplasje sa më pozitive me publikun dhe lexuesin. Kohët e fundit kam parë që shumë persona i lëshojnë faqet e tyre pa menduar mirë dhe duke u nxituar. Shumë persona lëshojnë faqe që janë pothuajse bosh, ose që kanë shumë gabime. Mendoni që do të kthehet sërisht në faqe dikush që ka hyrë edhe e sheh bosh? JO! Kështu që ndiqni disa këshilla të miat edhe suksesi do të jetë i garantuar (të paktën kështu shpresoj).

1. Zgjidhni emrin e duhur për domainin tuaj

Suksesi i një faqeje nis që tek zgjedhja e domainit që doni të përdorni. Shumë persona shpesh nga “ekstaza” për të hapur një faqe të re, bëjnë gabim që në hapin e parë të rrugës. Kam parë që shumë persona kërkojnë të kopjojnë emra domeinesh ekzistues ose ti imitojnë ato. Ky është një gabim i madh sepse ju nuk bëheni gjë tjetër veçse një reklamim pasiv. Pastaj ka shumë raste që persona të ndryshëm zgjedhin emra domainesh shumë të gjatë, që prapë është jo në avantazh të lexuesve të cilët mund ta harrojnë ose ta shkruajnë gabim.

Zgjidhni një domain të mirë

Një gabim tjetër është edhe përdorimi i domaineve me mbaresa .org ose të tjera që zakonisht janë “të rezervuar” për organizata e jo faqe personale. Bëni mirë që të keni një domain .com ose .al (domain shqiptar). E di që është vështirë të gjesh një emër të mirë me këtë lloj mbarese por lini fantazinë tuaj të punojë dhe zgjidhni një domain jo shumë të gjatë apo të vështirë. Gjithashtu nëse doni të keni një faqe të suksesshme, do ju sugjeroja të hiqnit dorë nga domainet falas. Kurseni pak edhe paguani një domain sepse mund të vijë një ditë që faqja të bëhet e famshme dhe me një domain falas mund të ndodhin shumë surpriza të këqija.

Personalisht preferoj të blej domainin jo të lidhur me hostin sepse mund të ndodhin shumë keqkuptime ose transferimi i hostit e kështu ju duhet të prisni sa të bëhet kalimi i domainit tek shërbimi i ri e kështu me radhë. Nëse përdorni shërbime të ndryshme si NameCheap, GooDaddy, Name, Dot.AL që mundësojnë vetëm blerjen e domaineve, keni bërë një haptë mirë përpara. Gjithashtu ka plotë shërbime si Domai.Nr të cilët ju ndihmojnë me sugjerime për emra domainesh.

2. Zgjidhni Hostin e duhur

Hosti është një tjetër element si Domaini që duhet zgjedhur me kujdes. Ndryshe nga i pari që nuk “ndërrohet”, hostin mund ta ndërroni pa problem nëse jeni të pakënaqur me të parin. Si edhe më sipër unë do ju këshilloja të hiqni dorë nga hoste falas apo nga hoste të dhuruar nga të tjerët. Mos harroni se ju nuk keni kurrë akses të plotë aty edhe mund të ndodhë që një ditë t’ju bllokohen të gjitha e të humbni punën edhe vizitorët tuaj. Ka plotë eksperienca të këqija nëpër forume, kështu që për një faqe serioze duhet të fusni dorën në kuletë.

Një host i mirë ju ndihmon shumë

Në ditë e sotme të gjesh hoste shumë të lira nuk është e vështirë. Mjafton të shikosh HostGator, JustHost apo shumë të tjerë që për pak dollarë të ofrojnë hoste të mira e shumë të lira. Unë do ju këshilloja që në fillim ta nisni me një host të tillë aventurën tuaj e nëse shihni që faqja juaj rritet dhe keni ngadalësime në hapjen e saj, duhet të kaloni në një VPS ose Dedicated Server. Këto normalisht janë shumë më të shtrenjtë se Shared Hosting por edhe rritja në performancë do të jetë shumë e ndjeshme. Nga kompanitë Shqiptare, ju këshilloj TheHosting.ME dhe Host.al. Të dyja i kemi provuar për të hostuar këtë faqe dhe mund të themi vetëm fjalë të mira.

3. Bëni gati llogaritë në Media Sociale

Mediat Sociale janë shërbime që ju ofrojnë të komunikoni apo të merrni më shumë vizitorë në faqen tuaj. Faqe të fuqishme si Facebook, Youtube, Twitter apo të tjera ju ofrojnë një numër të madh lexuesish nëse i përdorni ashtu si duhet. Kështu që është mirë që para se të lëshoni faqen online, të keni krijuar edhe llogaritë tuaja në ato Rrjetet Sociale që dëshironi dhe ti keni konfiguruar sipas dëshirës.

Llogaria e Feniksi në Twitter

Llogaria e Feniksi në Twitter

Nëse doni të na ndiqni ne në Twitter edhe Facebook jeni të mirëpritur. Aty ju presin shumë surpriza të reja e informacione mbi faqen tonë. Gjithashtu duhet të mos harroni të shtoni butona në artikujt tuaj për rrjetet sociale që të tjerët ta kenë të thjeshtë për ti përdorur. Një mundësi plus është edhe përdorimi i rrjeteve sociale Shqiptare.

4. Mos e lini faqen bosh

Gabimi më i madh që bëjnë shumica është lëshimi i një faqeje bosh. Kurrë mos hidhni online një faqe të tillë sepse do të shihni që lexuesit nuk do të kthehen më në faqen tuaj. Kështu që arma më e mirë është të përgatisni minimumi  5 artikuj për ti vendosur në faqe. Gjithashtu, një këshillë e mirë do të ishte që të kishit materiale për pothuajse të gjithë muajin e parë. Kontakti i parë i lexusëve me faqen është shumë i rëndësishëm, kështu që mundohuni ti ofroni gjëra cilësore.

Postimet e ardhshme tek Feniksi

Për Feniksin përdorëm pikërisht këtë strategji. Shkruam 8 artikuj të cilat u publikuan gradualisht gjatë muajit të parë. Në këtë formë ishim të sigurtë ti ofronim vizitorëve materiale të reja çdo pak ditë.

5. Planifikoni të ardhmen e faqes

Planifikimi i një rruge që duhet të ndiqni për të ardhmen e faqes është shumë i rëndësishëm. Ju nuk mund të niseni me idenë që “po e hap faqen e të shoh si do dalë e më vonë do vendos”. Jo, një faqe e suksesshme ka disa pika që duhet të bazohesh. Secili ka mënyrën e tij të planifikimit e nuk ka një rrugë fikse, rëndësi ka që të keni programuar se cilat janë hapat tuaja që do të ndiqni pas lëshimit të faqes. Cilat janë rrugët e marketingut, të rritjes së lexuesve e shumë të tjera.

6. Sigurohuni që faqja të funksionojë si ç’duhet

Çfarë kuptimi do të kishte një faqe e re dhe me probleme? Besoj që do të mërziste vizitorët e do ti bënte të largoheshin. Kështu që përpara se të lëshoni faqen online duhet të shikoni nëse gjithçka punon si ç’duhet. Shikoni nëse punojnë të gjitha linket e artikujve tuaj, nëse punojnë linket që ndodhen brenda artikujve. Nëse keni një formular kontakti, shikoni nëse ju vjen emaili. Nëse keni një sistem komentesh, shikoni që të punojë pa probleme, mos të fshijë komentet e vlefshme dhe mos të jetë i “lirë” për Spamet e ndryshme. Faqja ka shumë elementë për ti përmendur të gjitha këtu. Thjeshtë sigurohuni që gjithçka funksionon dhe nëse keni mundësi, ta testoni për një periudhë të caktuar midis një grupi të mbyllur njerëzish.

7. Përdorni RSS edhe Favicon

Kohët e reja të Webit e kanë bërë thelbësore përdorimin e RSS Feeds dhe të Favicon. RSS janë një mjet shumë i dobishëm në marrjen e lajmeve pa ardhur në faqe. Kjo i lehtëson shumë punën lexuesëve të cilët nuk duhet të vinë gjithmonë në faqe për të parë ka lajme të reja apo jo. Mjafton të jenë të abonuar dhe do të lajmërohen kur postohet një lajm i ri.

Favicon është një tjetër element i cili drejtpërdrejt nuk ndikon në faqen tuaj por që e bën atë të duket më profesionale. Ne tek feniksi përdorim si favicon një pjesë të logos tonë.

8. Kontrolloni faqen në shfletuesit më popullor

Një tjetër gabim që bëjnë disa persona është edhe mos kontrollimi i faqes tuaj në të gjithë Shfletuesit popullorë. Mund të ndodhë shpesh që në disa shfletues faqja të duket e rregullt e në disa të tjerë jo. Pikësisht është detyra e Webmasterit që përpara se të lëshojë faqen online të kontrolloj nëse ajo shfaqet rregullisht në të gjithë shfletuesit. Nëse ka gabime duhet ti rregullojë ato që të ketë një paraqitje pothuajse uniformë.

Shfletuesit më popullorë

Kini parasysh që të kontrolloni paraqitjen e faqes në shfletues popullorë si: Firefox, Internet Explorer, Safari dhe Google Chrome. Do të ishte me të vërtetë një surprizë jo e këndëshme shfaqja e gabuar e faqes.

9. Ofroni mundësi komunikimi për lexuesit

Lexuesit janë thesari i faqes tuaj. Pa ato ju nuk mund të ecni përpara. Në ditët e sotme është thelbësore që ju ti ofroni lexuesve mënyra shumë të thjeshta që të komunikojnë me ju. Në një mënyrë ose tjetër, ato duhet të jenë të aftë të shprehin mendimet apo sugjerimet e tyre. Nëpër blogjet si ky i joni është kryesore përdorimi i një sistemi komentesh ku lexuesit mund të shprehin mendimet e tyre mbi artikujt apo edhe të japin sugjerime për përmirësime; e pse jo, të korrigjojnë ndonjë gabim që mund të ketë. Përveç komenteve është mirë që të ofroni edhe një formular kontakti apo adresë emaili të vlefshme ku lexuesit mund t’ju drejtohen. Mos u fshihni sepse nuk është gjë e mirë.

10. Optimizimi i faqes

Të optimizosh faqen do të thotë që ta bësh atë sa më të saktë për motorët e kërkimit. Në guidën tonë mbi Seo unë ju tregova disa pika kryesore se si mund të ndikoni në SEO që kur shkruani kodin e faaes. Duhet të kujdeseni që kodi të jetë sa më i pastër e i kuptueshëm që nëse një ditë i ktheheni pas ta kuptoni atë që keni bërë.

Përdorni Google Analytics

Një tjetër optimizim i mirë është edhe optimizimi i URL-ve. Mundohuni ti keni sa më të shkurtra e të kuptueshme. Një element i rëndësishëm për faqen tuaj eshtë edhe Google Analytics. Instaloni scriptin e ofruar falas nga Google në mënyrë që të keni një shikim të plotë mbi lexuesit tuaj. Mund shihni kush janë rrugët të cilat sjellin më shumë vizitorë, kush janë artikujt më të preferuar e shumë gjëra të tjera.

Shpresoj që t’ju kem ndihmuar sadopak me këto 10 këshilla kryesore. Nëse keni ndonjë sugjerim tjetër, atëherë na shkruani tek komentet dhe do të japim mendimin tonë mbi eksperiencën me atë metodë.

Romeo Shuka

Romeo është student Informatike në Gjermani. Ka pasion Web-in edhe teknikat e ndryshme të tij. I interesuar në SEO, PHP, CSS edhe Java. Gjithashtu ka hobby sportet e ndryshme e kryesisht futbollin. I pëlqen të udhëtojë në vënde të reja.

7 Komente

  1. TipeBasti says:

    Faleminderit për këshillat, të nevojshme për një fillestar si unë … :)

  2. Laurat says:

    Jam lexues i rregullt i Feniksit gjithashtu edhe i abonuar me te vertet mora keshilla shum te mira nga ky artikull shume me vlere besoj se cdonjeri prej nesh duhet ti lexoj keto per nje site te suksesshem. :)

  3. Romeo Shuka says:

    Flm cuna per komentet. Me behet qefi qe ju ka pelqyer artikulli e do mundohem qe te shkruaj artikull te tille sa me shpesh.

  4. Titi says:

    Pershendetje, mete vertet artikuj te mire , dhe te shkruar ne nje gjuhe mjaft te paster shqipe … Ju lumte

  5. Romeo Shuka says:

    Flm shume per komplimentin. Me behet qef qe te pelqen.

  6. vbeqiri says:

    Keshilla jashtzakonisht te mira Romeo. Pa i ndjekur keto keshilla, sdo te besoj se ndonje faqe do te jet e sukseshme madje mund te qendroj afer 1-2 muaj dhe te bjere posht :D

  7. gent says:

    Romeo,te falenderoj per kete artikull. E lexova me shume kuriozitet. Te pergezoj jo vetem per njohurite, por edhe per dicka qe kohet e fundit nuk i jepet me rendesi gjate te shkruarit ne web: per shqipen e paster te perdorur.
    Une kohet e fundit kam hedhur ne rrjet faqen http://www.omniauto-al.com Nuk e di nese i kam ndjekur sic duhet pikat qe permende me siper dhe doja qe nese ke kohe ti hedhesh nje sy dhe tme kthesh nje pergjigje.

    faleminderit edhe nje here

Shkruaj një Koment