Ndodheni ne: Faqja Kryesore / Rreth Feniksit

Rreth Feniksit

Tashmë s’është e re t’ju them që Feniksi.com është një vend i vogël ku do të gjeni guida teknike rreth webit, programimit dhe grafikës. Ky është një projekt tërësisht vullnetar ku askush nuk pretendon të përfitojë materialisht dhe i tillë do të mbetet. Synimi i vetëm është të krijojmë faqen definitive për të ndihmuar të interesuarit e çdo niveli, duke nisur nga fillestarë absolute e deri tek profesionistët.

Momentalisht numri i autorëve është shumë i vogël dhe si rrjedhim, edhe frekuenca e publikimit të guidave është e rrallë. Po punojmë për të tërhequr autorë, por të them të drejtën nuk është e lehtë sepse ata pak njerëz të aftë teknikisht dhe në të shkruar në të njëjtën kohë, ose janë të zënë, ose i mungon motivimi. Megjithatë, tashmë Feniksi është një burim i mirë informacioni për shumë njerëz dhe kjo na e rrit edhe më tepër dedikimin.

Të gjitha guidat e shkruara janë rezultat i një pune personale të autorëve. Rrjedha tipike në shkrimin e një guide përfshin gjetjen e temave interesante, kërkimin mbi temën, shkrimin e materialit, prezantimin e mirë me shembuj kodesh dhe foto dhe përfundimisht redaktimin. Pavarësisht se mund të ketë inspirim nga faqe të tjera, gjë që është tërësisht normale, asnjë guidë nuk është kopjim. Të inspirohesh është diçka, por të kopjosh është komplet gjë tjetër.

Stafi i Feniksit

Këta janë njerëzit që e kanë bërë të mundur këtë faqe dhe vazhdojnë ta mbështesin. Pa ndihmën e kujtdo prej tyre, Feniksi do të ishte thjeshtë një ide e bukur e mbetur në bllokun e shënimeve.

Fadion DashiBashkë-themelues, Administrator, Autor
Fadioni është një nga dy themeluesit e Feniksit dhe autor kryesor i guidave. Gjithashtu merret me detyrat tipike të menaxhimit të një faqeje dhe mbarëvajtjen e saj.

Romeo ShukaBashkë-themelues, Autor
Romeo është bashkë-themeluesi tjetër i Feniksit dhe për shumë kohë administratori i faqes. Tani është tërhequr nga detyrat menaxhuese për tu fokusuar në shkrimin e guidave.

Baki GoxhajWordPress Guru, Autor
Bakiu është ai që vuri në jetë dizenjon në WordPress dhe futi në punë magjinë e tij për ta bërë gjithçka të funksionojë. Ai vetë-quhet “The WordPress Freelancer“, merret me punë në WP që asnjëri nga ne s’i bën dot dhe është autor guidash.

Luan GjokajAdministrator Serveri, Autor
Luani na ka ofruar një server të dedikuar përmes kompanisë së tij dhe na ndihmon me administrimin e tij. Në të njëjtën kohë është edhe autor guidash grafike.

Historia e Feniksit

Ky seksion është një tregim i shkurtër i historisë së Feniksit që nga konceptimi i saj e deri më sot. Unë që po shkruaj jam Fadioni dhe po e tregoj që ta “shihni” në këndvështrimin tim.

Ideja për një faqe me guida më kishte ngacmuar prej shumë vitesh. Më pëlqen të ndihmoj të tjerët dhe duke qenë se shkruaja shpesh në një forum të quajtur webmaster.al, një faqe e dedikuar guidave teknike në Shqip ishte zgjidhje interesante. Megjithatë, nuk e morra asnjëherë iniciativën i vetëm.

Kur Romeo më shkruajti një mesazh ku më pyeste nëse më pëlqente ideja të hapnim një faqe me guida, përgjigja ishte një “PO” e shpejtë. Më pëlqeu shumë ideja dhe ditët në vazhdim i shpenzuam duke diskutuar për faqen dhe planet si ta bënim e si ta zhvillonim më tej. Duhet të kem shkëmbyer me dhjetëra emaile me Romeon, shumë nga të cilat duken si fletë romani.

Problemi i parë ishte emri dhe unë në këtë pikë jam përgjithësisht i pavendosur. Synimi ishte një emër jo gjenerik, por diçka që të fiksohet dhe të identifikojë faqen në vitet në vazhdim. Për fat të mirë, Romeos i erdhi ndërmend emri “Feniksi” dhe u vendos pa shumë diskutim. Më pas, u punua me konfigurimin e WordPress, modifikimin e tij dhe realizimin e disa guidave fillestare që do të shërbenin për promovimin e faqes.

Feniksi ne Mars 2010

Feniksi.com në javën e tij të parë

Pas disa muajsh punë, më 15 Mars 2010 e lëshuam publikisht faqen. S’ishim të sigurt për reagimin, por përgjigjen e morrëm shumë shpejt. Ditët e para pati afër 500 vizita/ditë, gjë që tregonte se interesi për faqe të tilla egziston. Kuptohet, në kohët në vazhdim vizitat u ulën në një numër më të “besueshëm”. Gjatë muajve në vazhdim, shkruam plot guida të reja dhe tërhoqëm drejt faqes disa autorë të rinj me shumë eksperiencë në punën e tyre. Pak, por saktë – si ç’thotë populli.

Për disa muaj aplikuam llogaritë Premium me një pagesë të vogël mujore dhe ata që u regjistronin merrnin akses në disa guida të mëdha. Ishte një tentativë për të monetizuar faqen që të nxirrte shpenzimet e saj dhe ndoshta, po të kishte anëtar Premium të mjaftueshëm, mund ti paguanim autorët për guida cilësore. Pavarësisht se pati disa regjistrime, nuk ishin të mjaftueshme për ta justifikuar dhe vendosëm ta bëjmë gjithçka falas. Që atëherë, guidat e Feniksit janë 100% falas dhe të tilla do të mbeten!

Në shkurt të vitit 2011, Romeos ju desh të tërhiqej nga roli i administratorit të faqes për shkak të detyrimeve personale. Në atë pikë, kishte disa muaj që e kishim lënë shumë pas dore dhe nuk isha i sigurt ç’të bëja me faqes. Doja ta vazhdoja, por edhe vizitat kishin rënë dhe përgjithësisht aktiviteti mbi guidat ishte i përmbledhur në një grup të vogël njerëzish. Sigurisht, kur nuk kujdesesh, nuk ke çfarë pret.

Nga Shkurti deri në Tetor 2011 Feniksi ka qenë e mbyllur. Gjatë këtyre muajve kam pasur shumë mendime dhe mbyllja përfundimtare ishte një nga më të shpeshtat. Për fat të mirë, vendosa ta vazhdoj, sidomos prej mesazheve nga shumë persona që interesoheshin për të dhe insistimit të dy miqve.

Bakiu dhe Luani ishin ata që insistuan më tepër për rikthim e Feniksit, duke më ofruar kontributin dhe mirësinë e tyre të pa fund. Luani më siguroi hostimin në një server të dedikuar super të shpejtë të TheHosting.ME dhe u shpreh i gatshëm për të shkruar guida grafike. Ndërsa Bakiu morri përsipër krijimin e theme-t për WordPress dhe u tregua tërësisht i gatshëm për të shkruar guida pikërisht për WP. Pa insistimin dhe ndihmën e tyre, Feniksi me siguri do ishte abandonuar me kohë.

Pjesa në vazhdim e historisë mbetet për tu jetuar dhe shpresoj që në të ardhmen, rreshtat në vazhdim të kenë fjalë të bukura.

Fadion Dashi